Përshëndetje të gjithë lexuesve të librit “Bukuria Shqiptare”! Unë jam Beli.
Edhe për ju që nuk e keni lexuar ende, por keni hedhur një sy panoramik, dua t’ju them se për herë të parë në Shqipëri vjen para jush një botim me metodikë tërësisht shqiptare. Ideja që një vend i vogël si Shqipëria, por me vlera artistike të mëdha, mund të sjellë një metodë që konkurron çdo metodë ndërkombëtare të kësaj fushe, ju ndihmon të zbuloni çdo të fshehtë të artit të bukurisë.
Metoda e prerjes dhe stilimit të flokut është ekskluzive “Bukuria Shqiptare – Beli”, një krijim i pakopjuar, i cili i jep Shqipërisë të drejtën të ketë një metodë të thjeshtë, të saktë dhe profesionale për flokët dhe kozmetikën femërore.
Arti i bukurisë është një studim i pafund, por ky libër i jep çdo gruaje dhe çdo parukiereje mundësinë të thotë me bindje:
“Nga ky krijim dhe përkushtim profesional, askush nuk del i humbur.”
“Arti i bukurisë është pasion dhe dituri.”
BELI – Gjithnjë në kërkim të bukurisë së panjohur!
Beli ka lindur me dashurinë për të bukurën. Shkodra, qyteti më i madh i Veriut me tradita dhe kulturë të pasur, i dha asaj frymëzimin për të qenë pranë së bukurës, thjeshtësisë dhe humorit karakteristik të kësaj treve. Që e vogël, ajo përfundoi katër vite pikturë në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, me profesorin dhe artistin e madh Ferdinand Paci.
Më pas vijoi shkollën e mesme dhe shkollën ekonomike–financiare, e cila e ndihmoi të menaxhonte dhe drejtonte një ndër bizneset e para të bukurisë në Shqipëri: hapjen e sallonit të parë të bukurisë. Martesa me Besnikun i dhuroi dy djem dhe jeta e saj deri në vitin 1990 dukej se kishte marrë formë të plotë.
Pas 24 viteve punë në Parukeri, Estetikë dhe Make-up, Beli u bë një profesioniste e vërtetë. Ajo ishte ndër parukieret e para që mori pjesë në spektaklet e bukurisë që nga viti 1992, përfshirë Miss Shqipërinë, festivalet e RTSH-së dhe spektaklin Miss Europa organizuar në Shqipëri në vitin 1996. Në vitin 1994 nisi të drejtonte emisione televizive në Televizionin Publik Shqiptar, si “E Bukura dhe Ju”.
Në vitin 1997, në Tiranë, me vullnet të madh krijoi shoqatën “Bukuria Shqiptare”, me 970 anëtare femra. Ajo trajnoi rreth 5500 vajza e gra në profesionin e parukieres, organizoi seminare me sallone të njohura evropiane dhe u bë promotore e metodave moderne të parukerisë, estetikës dhe make-up.
Sot numërohen rreth 620 sallone të licencuara në vend, ku punojnë vajza që kanë mësuar metodën e saj. Ky libër, botimi i tretë, sintetizon punën dhe përvojën e saj si pionere e parukerisë dhe estetikës shqiptare. Beli ka bashkëpunuar edhe me Ministrinë e Punës për zgjerimin e kurrikulave bazuar në metodën “Bukuria Shqiptare Beli”.
Gjithashtu, bashkëpunimi me shkollën e Estetikës në Romë dhe eksperienca e saj shumëvjeçare sjellin para jush një libër me vlera të mëdha në fushën e estetikës. Çdo vajzë apo grua, që ka ndjekur ose jo kursin me metodën e saj, tashmë ka mundësi të vazhdojë kolegjin 2-vjeçar në Parukeri, Estetikë dhe Make-up, me kurrikula ekskluzive “Bukuria Shqiptare – Beli”.