Edhe për ju që nuk e keni lexuar plotësisht, por vetëm keni hedhur një vështrim panoramik, them me bindje se për herë të parë në Shqipëri ju vjen para syve, duarve dhe shijeve tuaja ky botim me metodikën tonë të Estetikës. Një eksperiencë 24-vjeçare nga Bukuria Shqiptare Beli.
Ideja që Shqipëria, një vend gjeografikisht i vogël, por me vlera kolosale artistike, sjell një metodë që mund të konkurojë çdo qasje tjetër në këtë fushë, ka synimin t’ju ndihmojë të zbuloni çdo të fshehtë të profesionit të estetikës.
Kështu, ju do të zotëroni me profesionalizëm gjithçka që lidhet me funksionin tuaj dhe shërbimin ndaj të tjerëve.
Në çdo komponent të artit të bukurisë, metodat e mësimdhënies në fushën e estetikës, të bazuara në shkollën 3-vjeçare estetike në Romë, janë ekskluzivitet i “Bukuria Shqiptare – Beli”.
Arti i bukurisë është një studim i pambaruar, por ky libër bën që çdo profesioniste e estetikës dhe çdo grua që ka studiuar këtë metodë ndër vite pune e përkushtimi, të thotë me gojën plot:
“Nga ky krijim dhe përkushtim profesional, askush nuk del i humbur.”
dhe
“Arti i bukurisë është pasion dhe dituri.”
BELI, GJITHNJË NË KËRKIM TË BUKURISË SË PANJOHUR
Beli Cafi gjithmonë ka qenë në kërkim të bukurisë së panjohur. Që e vogël kishte lindur me të bukurën në shpirt dhe po ashtu e kishte dashur artin me pasion. Shkodra, qyteti më i madh i Shqipërisë së Veriut, një qytet me tradita të pasura dhe kulturë të thellë, nuk kishte si të mos ia ushqente Belit dëshirën për të qenë pranë bukurisë dhe artit. Nëpërmjet traditës dhe humorit origjinal shkodran, ajo u rrit në një mjedis që nxiste kreativitet.
Që e vogël, ajo ndoqi katër vite pikture në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, nën udhëheqjen e talentit të madh shkodran, piktorit Ferdinand Paci. Më vonë vijoi shkollën e mesme të gjimnastikës dhe më pas shkollën Ekonomike–Financiare, e cila i dha një shtysë të rëndësishme në njohuritë e domosdoshme për të drejtuar një biznes—duke hapur njërin ndër sallonet e para të bukurisë në Shqipëri.
Lidhja e saj martesore me Besnikun i dhuroi dy djem, dhe jeta e saj në vitet ’90 nisi të merrte formën e plotë që ajo e kishte ëndërruar. Tashmë e pajisur me licenca pune në Parukeri, Estetikë dhe Make-up, Beli u bë një profesioniste e vërtetë e fushës.
Ajo do të ishte ndër të parat parukiere që do të merrnin pjesë në spektakle të bukurisë: që nga viti 1992 në të gjitha spektaklet e Miss Shqipërisë, si edhe në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar. Po ashtu edhe në spektaklin e madh të bukurisë “Miss Europa”, organizuar në Shqipëri në vitin 1996. Që në fillim të vitit 1994, Beli filloi të drejtonte në Televizionin Publik Shqiptar emisionet televizive “E Bukura dhe Ju”.
Në vitin 1997, në Tiranë, Beli, me vullnet të jashtëzakonshëm, krijoi shoqatën “Bukuria Shqiptare”, e cila pati pjesëmarrjen e 970 anëtareve. Ajo trajnoi rreth 5 500 vajza nga e gjithë Shqipëria në profesionin e parukieres, ndërkohë që organizoi seminare të njëpasnjëshme me sallone të njohura të Evropës, duke u dhënë vajzave shqiptare mundësinë të përqafonin metoda të reja të parukerisë, estetikës dhe make-up-it.
Aktualisht numërohen rreth 620 sallone të licencuara në të gjithë vendin, ku punojnë vajza që e kanë marrë formimin pikërisht nga Beli, dhe që vazhdojnë të ndjekin metodikën e saj profesionale.
Botimi i dytë pas librit të Parukerisë—libri i Estetikës—vjen për ju në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare si një përfundim logjik i punës dhe përvojës së kësaj zonje shqiptare, e cila me përkushtimin e saj arriti të krijojë një metodikë të çmuar dhe të domosdoshme për profesioniste të bukurisë.
Gjithashtu, bashkëpunimi i saj me Ministrinë e Punës nga sektori privat për zgjerimin e kurrikulave në mësimdhënie sipas metodës “Bukuria Shqiptare Beli”, si edhe bashkëpunimi i ngushtë me shkollën e Estetikës në Romë, kanë sjellë një ekspertizë shumëvjeçare që ofrohet sot në formën e një libri me vlera të mëdha në fushën e estetikës.
Çdo vajzë ose grua që ka mbaruar ose jo kursin sipas metodës “Bukuria Shqiptare Beli”, tashmë ka mundësinë të vazhdojë edhe kolegjin 2-vjeçar në drejtimet Parukeri, Estetikë dhe Make-up. Mësimdhënia zhvillohet me kurrikula ekskluzive “Bukuria Shqiptare Beli”.